Mbi qendrimin atdhetar e politik te Ernest Koliqit

Mbi qëndrimin atdhetar e politik të Ernest Koliqit

Në këtë pjesë të parë të këtij  ridimensionimi të Koliqit do të përqendrohem kryesisht në qëndrimin dhe veprimtarinë politike të Ernest Koliqit deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

1. Botëkuptimi, formimi dhe pikëpamjet politike

Ernest Koliqi lindi në Shkodër me 20 maj 1903 në një familje qytetare të Shkodrës më rrënjë të fuqishme shqiptarie. Ai lindi në qytetin e Pashko Vasës, Zef Jubanit, Luigj Gurakuqit, Fishtës e Mjedës. Ernesti vinte nga një formim familjar katolik, por me një ngjyrim të lehtë liberal; me një koncept të patriotizmit tipik të luftërave për pavarësi. (P. Giuseppe Valentini, Ernesto, Spechio d’umano transito, Kosovë Shejzat, Numer Përkujtimuer kushtue Pro. Ernest Koliqit, fq 20). Kësisoj ai e nisi karrierën e vet letrare në shkollën e poetëve të Rilindjes, por ai, i ndihmuar edhe nga një përgatitje organike në shkollat evropiane, hodhi hapin përpara dhe u pranua si novator në letërsinë e kohës. Koliqi ishte nipi i Cuk Simonit dhe stërnip i Filip Parrucës, ndër familjet ma të vjetëra tregtare të Shkodrës, prandaj ndër shkrimet e veta na ka dhënë pasqyrën letrare ma të qartë të këtij mjedisi shoqëror, të cilit ai i përkiste. Shumë i ri Koliqi e filloi veprimtarinë e vet si shkrimtar. Marrëdhëniet e ngushta me Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Lazër Shantojen, Benardin Palajn, Karl Gurakuqin, Shuk Gurakuqin, Kolë Kamsin, rrethi i miqve të zgjedhur për aftësi të veçanta në fushat studimore, administrative dhe me botëkuptime të qarta përparimtare politike, qenë për te nji shkollë e mbarë ku mori udhëzimet jo vetëm për karrierën e tij letrare, por ndikuan drejtpërdrejtë në formimin e bindjeve të tij politike, mbi rrugën e përparimit të Shqipërisë. Në periudhën e parë të veprimtarisë shoqërore, Ernest Koliqi, që kishte një përgatitje të përsosun të shkollës klasike, tërhoqi menjëherë vëmendjen e Luigj Gurakuqit, personalitetit politik ma të shquar që kishte Shkodra së paku, dhe që njihej brenda dhe jashtë Shqipërisë si një ndër krijuesit dhe administruesit e shtetit të parë shqiptar. Luigj Gurakuqi vetë banonte në Rrugën e Gurakuqve, në mëhallen e quajtur Gjuhadol, në afërsi të shtëpisë së Shan Koliqit, atit të heroit tonë. Në këtë mënyrë, njohja, miqësia, botëkuptimi e idealet e njëjta ishin fare të natyrshme.

Mjediset e Shkollës Fratnore të Lagjes Gjuhadol të Shkodrës ishin pikëpjekja e intelektualëve të qytetit, “ku rriheshin çështje në lidhje me politikën e kohës kur Shqipnija ishte tue marrë nji kthesë në historin e vet.” (Karl Gurakuqi, Ernest Koliqi, Revista Shejzat VII, 1963 5-6, 7-8 fq 163.) Pas pushtimit të dytë Kosovës nga serbët në vitin 1918, në Giuhadol, me ndërmjetësinë e Luigj Gurakuqit, Shan Koliqi i jep një shtëpi të tij për banim Bajram Currit, i cili gjeti asokohe strehim në Shkodër. Studiuesit e Koliqit mendojnë se duhet të ketë qenë Luigj Gurakuqi, i cili kishte njohuri të gjëra mbi çështjet shqiptare, ashtu edhe mbi fatin e Kosovës së robnueme dhe që njihej personalisht me Bajram Currin, Hasan Prishtinen dhe Isa Buletinin, mësuesi i parë që i ka dhanë Ernestit të ri informatat e para përkatëse mbi Shqipninë Verilindore. (Rexhep Krasniqi, Ernest Koliqi dhe Zhvillimi letrar në Kosovë Shejzat, Numer Përkujtimuer kushtue Ernest Koliqit, fq 37). Rritur në këtë mjedis qytetar, patriotik dhe përparimtar dhe mjaft të ngritur nga pikpamja arsimore e kulturore, është e kuptueshme pse në bazamentet e formimit të tij Koliqi përmbante konceptime dhe perspektiva aq atdhetare, liberale, të krishtera, katolike dhe perëndimore të jetës shtetërore, kombëtare dhe asaj private. Prandaj ai gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij shumëplanëshe u përpoq, siç thoshte vetë-“me mendje të ndritur, pa mburrje.... për një zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar” (Letër e Ernest Koliqit drejtue Karl Gurakuqit date 3 dhjetor 1960 ruhet në dosjen nr 2. të letërkëmbimeve të Prof. Karl Gurakuqit Letërkëmbim në Mërgim (arkivi i autori). Koliqi i përket atij formimi dhe grupimi të elitës shqiptare që shpëtimin e kombit shqiptar e shihte në një kulturë moderne perëndimore, të ushqyer dhe brumosur prej virtyteve arbnore. Një mik i tij amerikan në mesin e viteve 1950’, kur Koliqi ishte i ndaluar në Shqipëri dhe i sulmuar nga segmentet prokomuniste të mërgatës shqiptare, do t’i shprehej atij: “E dini pse shumica e shqiptarvet ju lufton? Pse s’munden me ju kuptue, tue kenë ju, për sa marr vesht vetë, ma i oksidentalizuem ndër shqiptarë!”. E Ernesti do t’ia komentojë kështu mikut të tij Karl Gurakuqi këtë konstatim të amerikanit: “Kjo cilësi s’asht vetëm e imja; asht e të gjith shkodranvet. Ai amerikani më njihte vetëm mue, por po të kishte njoftun Dom Lazrin (Shantojën), P. Benardinin (Palajn), ty (Karl Gurakuqin) etj., do të kishte dhanë nji gjykim ma kolektiv. Duket se jemi ndrysh prej tjerëvet. (Letër e Ernest Koliqit, 9 korrik 1955, Letërkëmbim në Mërgim dosja 1.)

Ernest Koliqi ka pasun një shpirt luftarak dhe asgjë nuk e ka ndalë kur ai nisej në një drejtim të caktuar. Nuk shikonte as djathtas e as majtas. Përherë ka dëshiruar dhe është rrethuar nga bashkëpunëtorë të vlefshëm, të cilët kanë punuar me të dhe ai ka ditur ta çmojë punën e tyre. Por pikërisht në këtë drejtim ai do të shprehej “unë e çmoj punën e shokut dhe nuk dij ç’asht smira” (Letër e Ernest Koliqit 20.03.1960, Letërkëmbim në Mërgim dosja 2).

I pashlyeshëm mbetet kujtimi se si profesor Koliqi shprehej mbi ardhmërinë madhështore të popullit shqiptar, sepse besonte në cilësitë pozitive dhe të jashtëzakonshme të shqiptarit. Ai besonte se breznitë e ardhshme do t’ia njihnin ndoshta ma tepër se bashkëkohësit, thelbin e koncepteve të tij. Për të mbrojtur tezën e zhvillimit të lumnueshëm të Shqipnisë e të vlerave fisnike, Koliqi fliste me gjuhën po të atij besimi të njerëzve të Rilindjes që Ai i kishte njohur personalisht. Këndej rridhte dhe entuziazmi i asaj periudhe heroike dhe dëshira për ta pa qenien e vet dhe krejt jetën e çdo shqiptari në funksion të çështjes nacionale.

Për Koliqin vetmohimi për çështjen kombëtare, ndjenja e përgjegjësisë, për të punuar e jetuar si Rilindas ishte e natyrshme dhe e vetvetishme. Ky qëndrim jetësor la gjurmë të qarta edhe në krijimtarinë letrare të Koliqit, së pari si krijues dhe mandej edhe si gjurmues i letërsisë shqipe. Tema thelbësore mbetet deri në fund çështja e ekzistencës së kombit, “mbetja gjallë” ose “gjallnesa” (Martin Camaj, Nji humbje e randë, Shejzat, Numer Përkujtimuer kushtue Prof. Ernest Koliqit fq 7). Kësisoj konstatimi i Halim Begesë se “Prof. Ernest Koliqi kje nji nga shërbestarët e pakët të denjë të popullit shqiptar, sherbëstar i kombit, i flakët, i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm i intelektualizmës shqiptare...”,(Halim Begeja, Kultura dhe politika e Koliqit, Numer Përkujtimuer kushtue Prof. Ernest Koliqit, fq 179) na duket plotësisht i saktë. Si vazhdues i punës së rilindasve të mëdhenj shqiptarë, Koliqi dallohet dhe zë vendin e parë si frymëzues i pazëvendësueshëm i mbjelljes së farës së kulturës.

Radha e shërbesave të mëdha në këtë drejtim është e pafund. Në vitin 1923 ndihej nevoja e një organi për të paraqitur opinionet e forcave më përparimtare dhe më perëndimore në rrethanat e koklavituna të jetës së posanisur të shtetit të ri shqiptar. Ndjehej mungesa e një shtypi serioz me drejtime ndërtuese moderne, për t’u shkëputë nga mendësia vjetruar e nëpunësve të kohës otomane. Kështu Ernest Koliqi, së bashku me Fretnit me në krye At Anton Harapin, me Lazer Shantojen, me Nush Topallin e shumë të tjerë, themeloi fletoren “Ora e Maleve”, jehona e së cilës u ndie anekënd Atdheut, sidomos për kryeartikujt shkruar nga penda të shquara dhe për rubrikën satirike “Ora nder Valle”. Suksesi i fletores qe i madh, ndikimi i shkrimeve të saj qe shumë i ndjeshëm në jetën politike dhe letrare shqiptare. Prandaj do të ishte e natyrshme që Koliqi si kryeredaktor i një fletoreje opozitare dhe si mis i lëvizjes së të rinjve “Bashkimi”, të mos këqyrej me sy të mirë nga autoritetet post-otomane të Tiranës, të cilat tek ajo shoqatë shikonin një kërcënim për pozicion e klasës konservatore otomaniste shqiptare. Fillimisht u duk sikur fitorja anoi nga parimet modernizuese nga shkëputja e sistemevet të vjetruara, por kjo ëndërr qe e shkurtër, sepse në dhjetorin e vitit 1924, forcat konservatore të mbështetura nga qarqe të caktuara të fqinjit të veriut rimorën përsëri pushtetin. Rinia dhe forcat demokratike përparimtare, pasuesit e Avni Rustemit, Fan Nolit, Luigj Gurakuqit etj. e humbën çështjen, dështuan në programin e tyre, u shpërndanë dhe pjesa më e madhe e tyre u largua nga vendi. Koliqi u shtërngue të qëndronte pesë vjet në mërgim në Jugosllavi. Ky qe mërgimi i parë i tij. Mërgata, ndonëse plot vetëmohime, u ba nji shkollë e mirë për qëllimet e tij të paracaktueme. Këtu mësoi gjuhën e vendit e filloi të lexonte autorët më të mëdhenj serbo- kroatë.

Gjithmonë i nxitun e i këshilluar nga Luigj Gurakuqi, shkroi e botoi poemthin dramatik “Kushtrimi i Skanderbeut”, me përmbajtje patriotike. Pikërisht kjo vepër i dha shpresa të mëdha për të hy përgjithmonë në botën e letrave shqipe. Më 1929 kthehet në Shqipni më vëllimin e novelave “Hija e Maleve”. Në vitet 1930-33 i kushtohet arsimit dhe e ushtron si mësues në Vlonë e Shkodër. Më 1937 kreu studimet universitare në Padovë me tezën “Epica popolare Albanese”, tezë doktorate që u vlerësua shumë nga albanologët Norbert Jokl, Maximilian Lambertz e nga një numër i madh studiuesish të famshëm të Albanologjisë.

2. Koliqi Ministër i Arsimit

Afrimi i Luftës së Dytë Botërore u shoqërua me lëvizje dhe përmbysje të shpejta të situatës gjeopolitike evropiane. Shqipëria ishte një nga vendet e paracaktuara nga projektet e Bllokut të shteteve fashiste për t’u përfshirë tërësisht në këtë lëvizje gjeopolitike. Forca e Shqipërisë ishte e atillë që e vetme nuk mund të garantonte dot as mbrojtjen dhe as integritetin e shtetit të vet. Përballja me këtë realitet të paracaktuar riaktivizoi në një shkallë të lartë opozitën tradicionale, si jashtë ashtu edhe brenda mbretërisë shqiptare. Ernest Koliqi, së bashku me Mustafa Krujën dhe Dom Lazer Shantojën, bënin pjesë në atë grupim të Opozitës së vjetër që u përpoqën ta shmangnin këtë fatalitet të paracaktuar, duke iu drejtuar Italisë për një marrëveshje që do të përjashtonte pushtimin.(Giuseppe Valentini, Ernesto Spechio d’umano transito, Shejzat, numër Përkujtimuer kushtue Prof. Ernest Koliqit, fq 21.) Faktet dhe rrjedhat e ngjarjeve treguan se besimi, përpjekja dhe marrëveshja e tyre ishte e kotë dhe zhgënjimi i tyre i pashmangshëm. Koliqi vetë, në mënyrë informale, në mes shokësh e miqsh, e ka pranuar këtë angazhim të pasuksesshëm me palën italiane.

Pala italiane e ndryshoi versionin e marrëveshjes së bërë, që parashikonte krijimin e një commonwealth-i, dhe zëvendësimin e mbretit Zog me një Princ të Shtëpisë së Savojës, (Letër e Ernest Koliqit 18.07.1952 Letërkëmbim në Mërgim dosja 1.) me formën e bashkimit të kurorave mbretërore nën të njëjtën Perandori. Në këto rrethana të vështira dhe pa rrugëdalje tjetër Opozita mendoi se ndërsa italianët do të kishin pushtetin, ato do të përpiqeshin të manovronin, ose së paku ta drejtonin nga interesat e Shqipërisë. Në këtë arsyetim tyre siç duket ato patën mbështetjen ose bashkëpunimin e Atë Gjergj Fishtës, të Terenc Toçit, të Atë Bernardin Palajt, të Xhevat Korçës, të Dhimitër Beratit, të Aleksandër Xhuvanit, të Xhafer Ypit dhe të tjerëve që pastaj kaluan në rezistencë të hapur (Giuseppe Valentini, Ernesto Spechio d’umano transito, Shejzat, numër Përkujtimuer kushtue Prof. Ernest Koliqit, fq 22). Kështu Koliqi, një nga shkrimtarët dhe intelektualët më me zë të Shqipërisë, mori postin e ministrit të arsimit duke u përfshirë në qeveri të përbërë nga njerëz pa vlera të veçanta. (Bernd J. Fischer, Shqipëria gjatë Luftës, 1939-1945, Tiranë 2000 fq. 67.) Në stadin aktual të kërkimeve dokumentare unë nuk mund të përcaktojmë arsyet e drejtpërdrejta që e kanë shtyrë Koliqin në marrjen e këtij vendimi, apo në detyrimin për marrjen e këtij vendimi. Ky moment përbën, sipas mendimit tim, një nga më delikatet dhe më të diskutueshmit të vendimmarrjes së tij. Sot, pas më shumë 60 viteve rrjedhash të historisë, të vlerësimeve, përçmimeve, ndalimeve dhe rehabilitemeve, mund të themi se përzgjedhja e Koliqit nga pikëpamja formale përbën një peshë të rëndë ndaj figurës së tij. Nga pikëpamja e veprimtarisë së tij konkrete, impaktit konkret që vendimi dhe veprimtaria e tij pat në terrenin shqiptar dhe mbarëshqiptar, mendoj se ajo është një nga shembujt e pakët në historinë e arsimit, kulturës dhe shkencës shqiptare kur dikasteri në fjalë, i udhëhequr nga një rilindas i ri, shkencëtar, shkrimtar, dhe shpëtimtar i atdheut, arriti rezultate të atilla që asnjë nga ministrat e arsimit shqiptar, nuk e kishin arritur. Kjo, si për sa i përket intensitetit kohor të arritjeve, ashtu edhe për sa i përket vëllimit total të veprimtarisë cilësore.

Kësisoj, Ernest Koliqi ndoshta ka bërë një përzgjedhje politike që i ka lënë pas gjurmë që ende vazhdojnë të diskutohen, por Shqipërisë dhe shqiptarëve, ai edhe në këtë rast, u ka bërë shërbime shembullore dhe të pangjashme, u ka hapë perspektiva që kanë lënë gjurmë dhe që përbëjnë precedentë themelorë në arsimin, shkencën dhe kulturën e këtij populli. Rasti i Tij, sikurse edhe i disa figurave të tjera të mëdha të kombit shqiptar që nuk mbetën mënjanë në këto ditë të vështira të Luftës së Dytë Botërore, përbën, për mendimin tim, rastin e personaliteteve me autoritet të padiskutueshëm që i dolën përpara furisë së pushtuesit të verbuar duke e penguar të përplaset mbi popullin. Këto personalitete amortizuan përplasjen fatale të fashizmit, mbi kombin. Mbi këto personalitete nuk rëndojnë urdhra vrasjesh, spiunimesh apo dhunimesh ndaj shqiptarëve. Vepra e tyre edhe në këtë rast është një shërbim shembullor dhe rilindas ndaj atdheut. Së fundi, vepra e tyre është krejt e dallueshme nga e atyre që dhanë dhe ekzekutuan urdhra vrasjesh, për dobi të fashizmit dhe komunistëve jugosllavë dhe rusë, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Do të doja që për ilustrim të jepja disa pasazhe nga vetë Koliqi, që i komunikohen për herë të parë publikut të gjerë. Ja si e shprehte Ai pozicionin e tij si ministër, në një letër tjetër drejtuar prof. Karl Gurakuqit: “....Të shamet e belbacukëvet të gjuhës shqipe nëpër radjo të Tiranës e të Londrës (me më shi mue janë dakord) e shkrimet epileptike të mistrecave qi qohen në maje të gishtave edhe trashojnë zanin për m’u dukë politikanta serioza, nuk më bajnë mu as të xet as të ftohtë. Ndërgjegjen e kam të qetë. Kam krye gjithmonë detyrën si shqiptar i mirë në rrethanat ma të vështira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes. Ata që më njohin mirë e dijnë se akuzat qi më drejtohen janë krejt pa themel. Ti je nji prej atyne qi me je gjetë pranë si bashkëpunëtor në rasat ma kritike. Ti e din mirfilli se gjatë kohës seme këshilltarët italjanë nuk pijshin uj. Pergatitja me tekste, vendosun nji herë e mirë mbi terminologjin shkollore; themeluem Institutin e Studimeve Shqiptare qi edhe komunistat tue i nderrue vetëm emnin e mbajtën, përmirësuem gjendjen e mësuesve e të profesoreve, çuem arsimtarë ndër klinika e sanatoriume. Kryefjala jon kje (në nji kohë në të cilën italjanët zotnojshin): Kultura shqiptare mbi të gjitha. Dërgova studjoza me mbledhë lajme historike në të gjitha teqet e bektashijvet, nisa studenta nder male me mbledhë pasurinë folklorike, futa nder xakona në Kosovë (para çlirimit) konviktorë vendas me libra shqip. Sa erdha si minister mora rishtas në shërbim Lasgush Pogradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori em, e u dhashë rrogat e mbrapambetuna. Lirova me garanci personale, mbas nji konflikti t’ashpër me gjeneral Guzzoni. para të cilit asokohe dridhej mbarë Shqipnija, Tajar Zavalanin, Vasil Andonin, Mihail Zallarin. Mora në sherbim Abaz Ermenjin sa këtheu nga Greqia (në mos ta mirrshem në shërbim do të shkonte qyshë atëherë në Ventotene)” (Letër e Ernest Koliqit 16.3 1951 Letërkëmbim në Mërgim dosja 1). Në kohën e Koliqit, Ministria e Arsimit përshkohej nga një frymë liberale që ishte krejt e kundërt me drejtimet politike të dhëna nga ato që Ernesti i quen “sunduesat e kohës” “Giro, shkruan Koliqi, pat protestue rrebtësisht sa herë për veprën teme tepër nacionaliste si arsim, por Jacomoni s’e lente me na qite pengime në Ministri; patem shti (në librin e Historisë së Letërsisë) në radhë të shkrimtarëvet Midëhat Frashërin, Fanolin, Faik Konicën, kundërshtarë të deklaruem t’atij rregjimi, e plot të tjerë. Patem shtu edhe Migjenin, për të dhanë një shembull të letërsisë me kujdese shoqnore.” (Letër e Ernest Koliqit 20.03 1960, Letërkëmbim në Mërgim dosja 2)

Ministria e Arsimit e drejtuar nga Koliqi, nga një organ i tipit vetëm administrativ, u shndërrua në një organ shtytës nxitës i tërë kulturës kombëtare, vatër edhe për nisma kulturore private, njëkohsisht duke funksionuar si asnjëherë më parë, edhe si organ largpamës administrativ. (Giuseppe Valentini, Ernesto, Spechio d’umano transito, Shejzat, numër Përkujtimuer kushtue Prof. Ernest Koliqit, fq 23.) Ernest Koliqi qëndroi për dy vjet ministër i arsimit, më pak se dy vite në kryesi të Institutit të Studimeve Shqiptare dhe më pak se gjysëm viti në presidencë të Dhomës së Deputetëve. Ernest Koliqi ministër i arsimit, mori si bashkëpunëtorë të tij njerëzit dhe shkrimtarët ma në zë (e papërsëritshme deri më tani në dikasterin e arsimit shqiptar) dhe së bashku me to filloi hartimin dhe botimin e teksteve shkollore, që ende sot janë shembuj të çmueshëm, pse jo edhe të paarritshëm në pikëpamje pedagogjiko-shkencore e kombëtare. Për të parën herë u botua historia e letërsisë shqiptare në dy vëllime: “Shkrimtarët Shqiptarë”, e redaktuar gjegjësisht nga Namik Resuli dhe Karl Gurakuqi, ky i fundit dora e djathtë e ministrit. Nën kujdesin e Koliqit një komision i përbërë nga Aleksander Xhuvani, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi dhe Eqerem Çabej, grumbulloi, përpiloi lëndën e të parës antologji që u botue më 1943 me titullin “Bota Shqiptare”. Për procesin e përpilimit të teksteve ministria e arsimit thirri nga Piana degli Albanesi Profesorin arbëresh Gaetan Petrotën. Dikasteri i Arsimit i dha nji hov të madh studimit dhe mbledhjes së folklorit, ndërmarrje që është e mishëruar në vijimin e botimit të shumëvëllimëshit “Visaret e Kombit”. Në këtë varg bën pjesë Fjalorthi i përpiluem nga Dom Nikollë Gazulli, që përmban 5000 fjalë të rralla nga veriu i Shqipërisë, dhe që është i pari fjalor përshkrues e normativ i gjuhës shqipe. Më 1940 Koliqi organizoi në Tiranë një Kongres të Studimeve Shqiptare, ku morën pjesë, përveç studiuesve shqiptarë, albanologët më të shquar botërorë si prof. Carlo Tagliavini, Antonio Baldacci, Francesco Ercole, Angelo Leotti, Gaetan Petrotta. Nga ky kongres lindi Instituti i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, dhe pranë këtij u themelua edhe Biblioteka Albanologjike dhe Muzeu Etnologjik

3. Perpjekja për shpëtimin e Norbert Joklit

Një moment madhështor, krenarie për të gjithë ne shqiptarët është përpjekja e paepur e Koliqit për të shpëtuar Norbert Joklin nga kthetrat hitleriane. Kjo përpjekje është tregues i shkallës së lartë të pavarësisë administrative dhe distancës së largët të Koliqit nga “sunduesat e kohës”. Shkresa e mëposhtme është vetëm një prej përpjekjeve të njohura të heroit tonë, në një kohë qe ende nuk dimë me saktësi përpjekjet e tjera të bëra nga autori në nivelet më të larta zyrtare: Ja përmbajtja e shkresës pa koment:

Mbretnija Shqiptare, Ministria e Arsimit, Nr. Prot.370/33,Tiranë më 6.10.1941-XIX

Të nderueshmit Zotni

Dr. Prof. Norbert Jokl

VjenëTue çmuem Veprimtarin Tuej, qi tash sa vjetë keni zhvilluem rreth ditunis gjuhësore shqipe me anë botimesh të randësishme, Këshilli i Ministravet, me vendimin e vet Nr. 1128, me 3 shtatuer 1941- XIX, pranoi propozimin e Ministrisë së Arsimit për të Ju marrun në shërbim me kontratë për nji vjetë kohë, d m.th. prej 1 korrikut 1941 deri me 30 qershuer 1942-XIX, si organizatuer të bibliotekavet të Shqipnis me rrogë mujrfe fr. shq. 600 (gjashtëqind)(faksmilja e këtij dokumenti është gjetur nga studiuesi Petrit Kotrri dhe i është ofruar autorit të këtij punimi)

4. Hapja e shkollave shqipe në Kosovë

Një moment mjaft i veçantë, që në planin kombëtar merr një rëndësi të dorës së parë, në karrierën politike të Koliqit, është nisma dhe udhëheqja e drejtpërdrejtë e procesit të hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare të çliruara nga okupatori sllav. Gjatë zhvillimit të Luftës së Dytë Botërore, në prill 1941 pas sulmeve të rrufeshme të gjermanëve, Jugosllavia e Karagjorgjëviqëve u shkatërrua, e kësisoj edhe Kosova e robëruar egërsisht deri atëherë u çlirua papritmas nga zgjedha sllave dhe u bashkua me Shqipërinë. Historia është e mbushur me koincidenca rrugësh të njëjta dhe njëkohësisht të padëshirueshme. Çlirimi i tokave të pushtuara shqiptare ishte rrjedhojë e logjikshme e aspiratave legjitime kombëtare. Fatkeqësisht, këto aspirata të kombit shqiptar (natyrisht jo të komunistëve shqiptarë që në këtë moment ndodheshin nën ombrellën e plotë jugosllave) rastisën në të njëjtin kah me strategjinë e Boshtit, që e kishte dezintegrimin e Jugosllavisë në projektet e veta ekspansioniste.

Pa u caktuar ende formula me të cilën Kosova do t’i kthehej Shqipërisë dhe pa ardhur ende udhëzimet nga Roma, nën përgjegjësinë personale, Ministri i Arsimit, Prof. Ernest Koliqi nisi drejt “tokave të lirueme” 200 mësues e profesorë me synimin e qartë të vendosjes së themeleve të arsimit shqiptar. “Asokohe në Romë flitej me lanë për 10 vjet s’paku, gjuhë slave në shkolla e n’administratë” (Letër e Ernest Koliqit, 16.3 1951 Letërkëmbim në Mërgim dosja 1). Kështu, Koliqi hapi dhe përkrahu shkollat shqipe në Kosovë e prej këtyre shkollave doli elita e parë e mësuesve dhe intelektualëve kosovarë. Vasil Andonin, në kundërshtim me mendimin e të gjithë shefave të ministrisë, Koliqi e emëroi drejtor konvikti në Prishtinë. Profesor Koliqi, me vullnetin dhe me shpirtin e një idealisti nuk kurseu energjitë e tij dhe mjetet shtetërore që kishte në dispozicion për ta pajisë sa më mirë aparatin arsimor në viset e lirueme me elementa të shëndoshë, qi dhanë hov e gjallni shkollës shqipe. (Tahir Zajmi, Kontributi i Ernest Koliqit për Kosovën, Shejzat, vjeti VII, 1963, 5-6, 7-8, fq. 221). Ky fakt i madhnueshëm i aspektit kulturor i bashkëngjitun me faktin politik të krijimit të një Shqipërie në kufijtë e saj natyrorë, pavarësisht rrethanave në të cilat u krijuan, kanë mbetur një precedent i rëndësishëm dhe i kujtueshëm vazhdimisht në historinë dhe gjeopolitikën ballkanike, dhe sidomos në kohën tonë ka një pasqyrim të paimagjinueshëm aktual.

Rexhep Krasniqi shkruen kështu për këto zhvillime: “Kur u emnuesh Drejtues i Shkollës Shqipë në Prishtinë, Prof Koliqi (Ministër i Arsiemit n’at kohë) ndër të tjera udhëzime, shquejti tri pika me randësi të posaçme: 1) Ministria e Arësimit ven bujarisht në dispozicion mjete financiare dhe material të ndryshëm për ekuipazhin e shkollës dhe të Internatit si dhe për ushqim e veshëmbathje të studentave bursistë; 2) Mësimi i gjuhës shqipe do të kishte prioritetin mbi të gjitha landët e tjera, mundësisht, me nga dy orë të përditshme për të gjitha klasat, dhe po për kët qellim ai porositi që 3) studentat e kësaj shkolle nuk do të kishin nevojë të marrin pjesë në organizimin e rinisë fashiste, siç ishte gjendja në Shqipninë e vjetër”. (Rexhep Krasniqi Shejzat (nr.1-10 vj.XVIII faqe 7-11).

Në vitin 1943, pa u mbushur dy vjet, në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi u hapën dhe punonin 511 shkolla fillore shqipe me 19 121 nxënës, të cilët i mësonin dhe edukonin drejt kombëtarisht 487 mësues (prej tyre 78 mësuese)... Ernest Koliqi kontribuoi edhe në hapjen e Normales së plotë në Prishtinë, në hapjen e Liceut në Prizren dhe Tetovë, në hapjen e Shkollës Normale në Gjakovë, të institutit Teknik Bujqësor dhe Gjimnazit në Pejë. (Abdylaziz Veseli, Shkollat dhe Arsimi Shqip në Prefekturën e Prishtinës gjatë periudhës 1941-1944, II, Gjilan 2003, fq 101.)

Perveç kontributit të paçmueshëm për shkollat shqipe të Kosovës, Koliqit i detyrohet edhe dërgimi nëpër universitetet e Italisë i disa dhjetrave studentëve kosovarë për të zhvilluar stazhe dhe për t’u përgatitë dhe specializuar në degë të ndryshme të diturisë, që ma vonë do të bëhen shtyllat e shëndosha për të themeluar kulturën kombëtare në viset e çliruara. Pjesën ma të madhe Koliqi e kaloi në dhe të huaj, në nji anë gjithnji në kontakt me botën shqiptare e sidomos arbëreshe, dhe në tjetrën si profesor universiteti e shkrimtar në dialog të përhershëm me rrethe intelektuale të ndryshme të botës perëndimore. Mbas ardhjes në fuqi të diktaturës komuniste në Shqipëri, Koliqi është mobilizuar krejtësisht në luften për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi i kuq dhe ka qenë truri i Grupit “Blloku Independent”, që u aktivizua në veprime diversioni për rrëzimin e regjimit komunist

Këtë artikull të parë mbi Koliqin dëshiroj ta mbyll me një pjesë të përmbajtjes së letrës që Prof. Koliqi i dërgon me 3 dhjetor 1960, me rastin e festimeve të festës kombëtare shqiptare, mikut të tij Karl Gurakuqi: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët qi më drejton me rasën e 28 nandorit dhe për urimet qi më ban. ...ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë me mende të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna qi kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimi letrar qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindjet breznive t’ardhshme”. (Letër e Ernest Koliqi 03.12.1960 Letërkëmbim në Mërgim, dosja 2.)

*Universiteti Europian i Tiranës

Romeo Gurakuqi : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama